Sezoni i Real Madridit po konsiderohet zhgënjyes, me skuadrën që pritet ta mbyllë për të dytin vit radhazi pa një trofe madhor.

Situata në stol ka reflektuar këtë pasiguri, Xabi Alonso nuk arriti të vendosë autoritetin e tij para largimit, ndërsa trajneri aktual Alvaro Arbeloa po përballet me humbje të mbështetjes brenda dhomave të zhveshjes.

Fillimisht, Arbeloa kishte krijuar një raport pozitiv me skuadrën, por javët e fundit situata është përkeqësuar ndjeshëm. Përplasjet me disa futbollistë kanë rritur tensionet në Valdebebas dhe sipas raportimeve të El Mundo, atmosfera tashmë është në pikën e vlimit.
Trajneri thuhet se ka pasur konflikte me kapitenin Dani Carvajal, si dhe me Raul Asencio, Alvaro Carreras dhe Dani Ceballos, ky i fundit madje është lënë jashtë përzgjedhjes së skuadrës për momentin.
E përbashkëta e tyre është fakti se janë lojtarë të dalë nga akademia e klubit, të cilët ndihen të anashkaluar nga trajneri.
Sipas të njëjtave burime, këta futbollistë besojnë se Arbeloa ka favorizuar yjet kryesorë të ekipit dhe talentet e reja që janë promovuar këtë sezon, duke mos treguar të njëjtin vlerësim për lojtarët si Carvajal apo Ceballos.

Kjo ka sjellë një krisje të marrëdhënieve brenda skuadrës dhe një ndarje të dukshme në grup.
Situata është tensionuar më tej edhe nga sjellja e Kylian Mbappe.
Sulmuesi francez, i cili ka munguar javët e fundit për shkak të një dëmtimi në kofshë, ka tërhequr vëmendje brenda klubit për aktivitetet e tij jashtë fushës, përfshirë udhëtimet nëpër Evropë me partneren e tij, aktoren Ester Exposito.
Më tej, mbrojtja publike që Arbeloa i bëri Mbappe pas fitores ndaj Espanyol ka shkaktuar pakënaqësi te disa lojtarë të tjerë.
Në këto rrethana, gjithçka tregon se një ndryshim në stol është i pashmangshëm gjatë verës.
Pavarësisht nëse vendimet e Arbeloas kanë qenë të drejta apo jo, marrëdhëniet e përkeqësuara me një pjesë të rëndësishme të skuadrës dhe mungesa e trofeve e bëjnë të vështirë vazhdimin e tij në krye të ekipit. /Telegrafi/

