Sezoni i parë i Messit në Miami do të jetë historik, sepse, për herë të parë që nga themelimi i tij, Inter Miami do të shkojë në një turne ndërkombëtar, ku do të luajë dy ndeshje miqësore në Azi. E para do të jetë më 5 nëntor në Qingdao kundër skuadrës vendase të Qingdao Hainiu, që luan në Superligën Kineze, kategoria më e lartë e futbollit kinez.

Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin kombëtar të të rinjve “Qingdao”, i sapohapur, me kapacitet për 50 mijë spektatorë. Tre ditë më vonë, më 8 nëntor, klubi i Amerikës së Veriut do të udhëtojë në qytetin e Chengdu, për të luajtur ndeshjen e dytë të turit kundër Chengdu Rongcheng, një tjetër ekip kinez i Superligës. Stadiumi i futbollit “Phoenix Hill”, me një kapacitet prej 60.000 spektatorësh, do të jetë vendi i ndeshjes.
Ky turne ndërkombëtar organizohet nga dy kompani me përvojë në këtë fushë si “NSN” (Kurrë mos thuaj kurrë) dhe kineze “Maijia Sports”. “NSN”, një kompani ndërkombëtare me seli në Barcelonë, ishte kompania përgjegjëse për organizimin e ndeshjes mes Barçës dhe Vissel Kobe, që u luajt më 7 qershor në Tokio, me 50 mijë shikues të pranishëm në stadiumin kombëtar të Japonisë.
Xavi Asensi, drejtor i zhvillimit të biznesit në Inter Miami, tha: “Ne jemi shumë të lumtur që vazhdojmë të zgjerojmë shtrirjen globale të klubit tonë, duke e çuar ekipin tonë të luajë para tifozëve të jashtëzakonshëm në mbarë botën. Kjo është një mundësi e veçantë për të ndarë pasionin, ndërsa arrijmë audiencë të re dhe shfaqim veten në vende të reja dhe mezi presim të fillojmë këtë aventurë.”
Nga ana e tij, Joel Borràs, themelues i “NSN”, deklaroi se “me këtë projekt ne dyfishojmë angazhimin tonë dhe vazhdojmë të rritemi në fushën e sportit dhe argëtimit. Së bashku me partnerin tonë vendas, “Maijia Sports”, kemi mundësinë të organizojmë një turne historik me protagonist për ekipin e vitit.
Udhëtimi i Interit nga Miami në Kinë do të jetë mundësia e parë për të parë në veprim, jashtë Shteteve të Bashkuara, skuadrën e drejtuar nga Leo Messi dhe lojtarë të tjerë të shquar si Sergio Busquets, Jordi Alba dhe Josef Martínez. Se si dhe kur mund të blihen biletat për këto ndeshje do të bëhet e ditur së shpejti.

