Përfundon në mënyrën më të keqe të mundshme eksperienca e Mesut Ozili te Fenerbahce. Ish-ylli i Arsenalit mbërriti në Stamboll vetëm 18 muaj më parë, por kontrata e tij është prishur me konsensus. Gjermani nuk kishte luajtur që nga marsi, kur u përjashtua nga skuadra pas një debati me trajnerin e përkohshëm të atëhershëm Ismail Kartal.

Fenerbahce e konfirmoi këtë në një deklaratë zyrtare të publikuar në faqen e klubit dhe kanalet e rrjeteve sociale: “Është rënë dakord që kontrata mes klubit tonë dhe Mesut Ozil të ndërpritet me marrëveshje. I urojmë suksese Mesut Ozilit për pjesën tjetër të karrierës”.
Pra, a do të duhet 33-vjeçari të kërkojë një ekip të ri? Jo. Istanbul Basaksehir, një klub shumë i afërt me presidentin Recep Tayyip Erdogan, njoftoi menjëherë ardhjen e mesfushorit. Lajmi që mbërriti në kohë rekord. Fenerbahce, në fakt, njoftoi ndërprerjen dhe pas më pak se gjysmë ore, 29 minuta më saktë ka mbërritur njoftimi i klubit të ri. Tweet-i u shoqërua nga një këngë e njohur turke “Kir Zincirlerini” (Të thyej zinxhirët) nga këngëtari Tarkan.
Istanbul Basaksehir është një nga skuadrat më ambicioze të Turqisë dhe ka bërë një mori nafrimet në vitet e fundit, nga Robinho dhe Demba Ba te Emmanuel Adebayor.

