Pak orë pas deklaratave të ministrit të brendshëm francez për marrëdhëniet e Karim Benzemës me Vëllazërinë Myslimane, një senatore nga Franca kërkon që atij t’i hiqet “Topi i Artë” dhe shtetësia.

Konkretisht, Valerie Boyer, e cila ishte nënkryetare e bashkisë së Marsejës dhe më pas deputete e konservatorëve, sugjeroi përmes Twitterit që ish-ylli i Real Madridit dhe ish-anëtari i Kombëtares së Francës të ndëshkohej për mbështetjen e palestinezëve.
“Të paktën Topi i Artë të hiqet si një gjest simbolik”, ka shkruar ajo dhe më pas ka kërkuar të vijojë me heqjen e shtetësisë. “Të qëndrosh me ata që na shpallin luftë do të ishte e barabartë me tradhtinë e vendit tënd”, tha Valerie Boyer, e cila kundërshton islamizmin dhe dhënien e nënshtetësisë franceze për emigrantët myslimanë.
Në deklaratën e saj për shtyp, Boyer përmend “lutjet” që futbollisti franko-algjerian u drejtoi banorëve të Gazës më 15 tetor, duke shprehur dhimbjen e tij për “viktimat” e prekura nga “bombardimet e padrejta që as nuk u vjen keq për gratë dhe as fëmijët”.
Ajo gjithashtu tha: “Ne nuk mund të pranojmë që një shtetas i dyfishtë francez, i njohur ndërkombëtarisht, mund të çnderojë apo edhe të tradhtojë vendin tonë në këtë mënyrë”.
Politikania franceze shkroi në Twitter DT dhe shkroi: “Nëse, siç pretendon ministri i Brendshëm, Karim Benzema është ‘i lidhur me Vëllazërinë Myslimane’, unë bëj thirrje për sanksione, në veçanti heqjen e shtetësisë. Është urgjente të veprohet kundër atyre që kërcënojnë vazhdimisht vendin tonë”.

