Në Spanjë e bëjnë fakt të kryer, Aleksander-Arnold i thotë “po” Realit

Trent Aleksander-Arnold, një nga yjet e Liverpulit në vitet e fundit, duket se po i afrohet më shumë Real Madridit, pavarësisht se “Reds”-at po mundohen që ta bindin që të rinovojë. Mbrojtësi anglez, kontrata e të cilit me të kuqtë skadon në qershor, synon të largohet nga “Anfield” në fund të sezonit për t’iu bashkuar gjigantëve spanjollë, sipas “Marca”.

Sipas tyre, mbrojtësi i djathtë e ka dhënë tashmë miratimin e tij për këtë lëvizje. 26-vjeçari ka qenë një lojtar kyç për Liverpulin për gati një dekadë, duke u dalluar për aftësinë e tij sulmuese, saktësinë në krosim dhe lidershipin në fushë. Megjithatë, rrethanat aktuale, ku ende nuk është gjetur marrëveshja për rrogën e lojtarit, po bën që të dyja palët të shkojnë drejt një lamtumire.

Arnold, pasi fitoi tituj të rëndësishëm me anglezët, do të ishte gati për një sfidë të re dhe Reali i Madridit e konsideron atë zgjedhjen ideale për të forcuar krahun e djathtë. Ardhja e anglezit në “Bernabeu” do të shihej si një zgjidhje afatgjatë për një pozicion që është dominuar nga një kampion si Dani Karvahal vitet e fundit. Përvoja e tij në kompeticionet elitare, së bashku me aftësinë e tij për të bërë diferencën si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, përshtaten në mënyrë të përkryer me aspiratat e një ekipi që kërkon gjithmonë të qëndrojë në majat e futbollit europian.

Për më tepër, nënshkrimi i tij si lojtar i lirë do t’i lejonte klubit spanjoll të kryente një operacion strategjik dhe ekonomikisht efikas. Nga ana e tij, futbollisti duket i entuziazmuar nga ideja për të veshur fanellën e bardhë dhe për të provuar fatin në La Liga, një kompeticion që i ka ngjallur gjithmonë interes. Produkti i akademisë së “Reds”-ave është një nga tre yjet që është në skadencë kontrate në “Anfield”, bashkë me Mohamed Salahun dhe Virxhil van Dajkun.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close