Shkëndija përgatitet intensivisht për ndeshjen e të dielës (xhiroja e 21) me Vardarin në Tetovë. Stafi teknik i kuqezinjëce me futbollistët ka analizuar paraqitjen e fundit dhe tashmë shikohet para drejt sfidave të ardhshme.

Përballja e të dielës sheh skuadrën tetovare me dy elemente shtesë, pasi kthehen në kombinim futbollistë të rëndësishëm të formacionit. Ennur Totre dhe Bruno Dita kanë pastruar pezullimin dhe janë në kombinim për ndeshjen e të dielës.
Totre mungoi me Gostivarin shkaku i pesë kartonave të verdhë (kompletoi 5 kartona në Shkup ndaj Makedonija Gj.P.), ndërsa Dita të dielën do të ketë paraqitjen e parë zyrtare në vitin 2024, pasi humbi dy ndeshjet e para (Makedonija Gj.P. dhe Gostivari) shkaku i kartonit të kuq në sfidën me Sileksin në fund të vitit 2023.
Kthimi i dy mesfushorëve vjen në moment të duhur, pasi të drejtë loje (pezullim) nuk ka Reshat Ramadani, i përjashtuar me të kuq të dielën e shkuar ndaj Gostivarit.
Shkëndija-Vardari luhet të dielën në Tetovë me fillim në orën 14:00.

