UEFA për sot në orën 12:00 e ka caktuar shortin për të përcaktuar çiftet për fazën play-off të garave evropiane. Kampionia e Maqedonisë, Shkëndija, tashmë i ka mësuar kundërshtarët e mundshëm, si në rast se kalon Qarabagun në raundin e tretë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, ashtu edhe nëse nuk arrin ta kalojë këtë pengesë.

Sipas listës së publikuar nga UEFA, kundërshtarë të mundshëm të tetovarëve në shortin e sotëm për fazën play-off të Ligës së Kampionëve janë skuadrat: Bodo/Glimt nga Norvegjia, Celtic nga Skocia, si dhe fituesit e ndeshjeve të raundit të tretë: Malmo – FC Copenhagen, Lech – Crvena Zvezda, Ludogorets – Ferencvaros.
Në rast se Shkëndija nuk arrin ta kalojë Qarabagun, atëherë do të vazhdojë në fazën play-off të Ligës së Europës. Aty kundërshtarë të mundshëm të “kuqezinjve” janë:
Young Boys nga Zvicra, si dhe skuadrat e humbura nga ndeshjet e raundit të tretë të Ligës së Kampionëve: Ludogorets – Ferencvaros, Malmo – FC Copenhagen, si dhe fituesi i ndeshjes së raundit të tretë në Ligën e Europës ndërmjet Hamrun Spartans nga Malta dhe Maccabi Tel Aviv nga Izraeli.

