Përfaqësuesja e futbollit të Maqedonisë së Veriut do të ndeshet nga dy herë me Bullgarinë, Gjeorgjinë dhe Gjibraltarin në kuadër të Grupit të 4 të Ligës C në Ligën e Kombeve. Shorti për edicionin e tretë të Ligës së Kombeve u hodh sot në Nyon të Zvicrës, me përfaqësuesen e vendit që u gjet në grup relativisht të favorshëm. Interesante do të jenë duelet me fqiun Bullgarinë, ndërsa dy rivalët tjerë janë kundërshtarë të njohur kohevë të fundit. Gjeorgjia ishte rival në finalen historike të Play Offit ku Maqedonia e Veriut siguroi kualifikim në Kampionatin Europian të vitit 2020, ndërsa ishim në grup të njejtë në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, ndërsa në sezonin debutues të garës më të re për ekipet përfaqësuese në të njejtin grup kishim Gjibraltarin.

Kosova është gjetur në Grupin 2 të Ligës C, ku për kundërshtarë mori Irlandën e Veriut, Greqinë dhe fituesin e duelit, Qipro-Estoni.
Kombëtarja shqiptare që do të garojë në Ligën B sheh veten në Grupin 2 së bashku me Islandën, Rusinë dhe Izraelin.
Liga A ku bëjnë pjesë përfaqësueset në të forta të kontinentit do të sjellë duele interesante pasi në Grupin 1 u gjetën Franca, Danimarka, Kroacia dhe Austria, në Grupin 2 Spanja, Portugalia, Zvicra dhe Republika Çeke, te Grupi 3 do të përballen Italia, Gjermania, Anglia dhe Hungaria, ndërsa në Grupin 4 të Ligës A u gjetën Belgjika, Holanda, Polonia dhe Uellsi.
Edicioni i tretë i Ligës së Kombeve nis më 2 qershor të vitit 2022, ndërsa ndërkohë do të vendoset orari i ndeshjeve nëpër grupe.

