Katër të rinj nga Qendra Sportive Trajnuese “ES” në Tetovë kanë marrë ftesë për të qenë pjesë e grumbullimit të grupmoshave të reja të Kombëtares së Shqipërisë, duke përfaqësuar me krenari shkollën e tyre dhe qytetin.

Ajan Kamberi, Liman Rexhepi, Aldo Asani dhe Enes Abdullahi janë katër talentet premtuese që do të testohen në këtë seleksion, i cili shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre futbollistik. Për “ES,” ky është viti i dytë radhazi që lojtarët e saj përzgjidhen në nivel kombëtar, një arritje e cila dëshmon përkushtimin dhe cilësinë e punës në këtë qendër sportive.

“Ky është një nder i madh për qendrën tonë dhe një motivim i jashtëzakonshëm për nxënësit tanë që të vazhdojnë të ndjekin ëndrrat e tyre me punë dhe përkushtim. Urojmë që këta djem të shkëlqejnë dhe të na bëjnë krenarë,” thuhet në njoftimin e Qendrës Sportive Trajnuese “ES.”
Suksese dhe rrugëtim të mbarë për katërshen e shkollës “ES” në këtë sfidë të rëndësishme sportive!

