Pas përfundimit të sezonit 2024/2025, FC Struga Trim Lum dhe trajneri Ilço Gjorgjioski kanë vendosur të ndajnë rrugët, duke i dhënë fund bashkëpunimit që nisi me ambicie të qarta për suksese. Vendimi për largimin ka ardhur me kërkesë të vetë trajnerit, i cili ka ofruar dorëheqjen e tij, një veprim që është pranuar dhe respektuar nga drejtuesit e klubit.

“Besova fort se do të arrinim kualifikimin në Evropë dhe ishim shumë pranë këtij qëllimi. Megjithatë, dështimi në finalen e Kupës ishte vendimtar. Për këtë arsye po jap dorëheqjen nga pozita e trajnerit, duke i uruar Strugës shumë suksese në të ardhmen”, deklaroi Gjorgjioski, duke shprehur mirënjohje për bashkëpunimin me klubin, futbollistët dhe stafin teknik.
Nga ana e saj, FC Struga ka falënderuar strategun shkupjan për profesionalizmin dhe angazhimin gjatë gjithë periudhës që qëndroi në pankinën e skuadrës, duke nënvizuar se është koha për një fillim të ri dhe një kapitull të ri në drejtimin e ekipit.
Largimi i Gjorgjioskit vjen pas një sezoni sfidues për FC Struga, ku objektivat për një vend në Evropë mbetën jashtë realizimit në momentin vendimtar. Klubi pritet të njoftojë së shpejti drejtimin e ri teknik për sezonin e ardhshëm.

