Futbollisti me origjinë shqiptare Granit Xhaka thotë se kampionët në fuqi Bajer Leverkuzen janë të gatshëm të përballen me Bajern Munihun në ndeshjen e 22-të, pa dyshim që kanë nevojë për një fitore për të pasur ndonjë shans për t’u rimëkëmbur ndaj liderëve të Bundesligës. Gjatë një interviste për “bundesliga.com”, Graniti u “zbërthye” jo vetëm në planin e futbollit.

Ndeshja kundër Bajernit është një fitore e domosdoshme, a besoni se mund ta kapni akoma ekipin e Kompanis?
Ne e dimë se ku jemi, e dimë pozicionin tonë. E presim me padurim këtë ndeshje, jo vetëm për ne, por mendoj se e gjithë Gjermania është shumë e emocionuar për ta parë takimin. Ne duhet të bëjmë punën tonë, megjithatë, dhe të shohim se çfarë do të ndodhë pas 90 minutave, por ne mezi presim atë.
Tani jeni tetë pikë prapa kreut, a është ky shansi juaj i fundit për të qëndruar në garën për titull të shtunën?
Forca jonë vitin e kaluar ishte se nuk e shikonim shumë tabelën. Është saktësisht e njëjta gjë edhe këtë vit, nëse jemi të dytët këtë vit, ishim përpara vitin e kaluar. Për ne është e rëndësishme të bëjmë punën tonë, të marrim çdo ndeshje me radhë dhe pas 34 raundesh do të shohim se ku jemi.
Një barazim ndoshta nuk do të mjaftojë, çfarë duhet të bëni për të mposhtur bavarezët?
Ne nuk do të hyjmë në lojë me plan për të luajtur për barazim, ne duam të fitojmë çdo ndeshje, qoftë ajo kundër Bajernit të shtunën ose kundër ndonjë ekipi tjetër. Ne e kemi këtë mentalitet në ekip dhe e kemi fituar me paraqitje të mira në vitet e fundit, kështu që do të hyjmë në lojë me këtë mentalitet dhe do të përpiqemi t’i marrim tri pikët këtu në shtëpi”.
Aktualisht keni nëntë pikë më pak se vitin e kaluar, çfarë i mungon Leverkusenit këtë vit, krahasuar me perfeksionin e sezonit të kaluar?
Ju nuk mund të keni gjithmonë një sezon brilant, e keni një herë! Duhet të përballemi me realitetin dhe të jemi të sinqertë me veten. Ju vetë thatë se kishim nëntë pikë më shumë, do të kishim një pikë më shumë se Bajerni atëherë. Kemi pasur ndeshje, si Kil në shtëpi, kur kemi udhëhequr, por kemi marrë vetëm një pikë, ndaj Bohumit po ashtu. Tetë pikë tingëllojnë shumë, por janë vetëm tri ndeshje. Ndeshja e parë do të jetë të shtunën, kundër një kundërshtari të drejtpërdrejtë, ne duhet të fitojmë dhe pastaj do të shohim.

