Edinson Kavani është prezantuar si lojtari më i ri i argjentinasve të Boka Juniors. Sulmuesi nga Uruguai zyrtarizon kështu largimin nga futbolli europian pas 16-vitesh. 36-vjeçari ka firmosur një kontratë që e mban të lidhur me Bokan deri në dhjetorin e vitit 2024. Tek ekipi argjentinas, Kavani do të mbajë veshur fanellën me numrin 10, fanellë e cila më përpara është mbajtur nga legjenda të futbollit si Maradona dhe Rikelme.

“Është një nder për mua të luaj për Boka Juniors. Është klubi më i madh në Argjentinë dhe këtu kanë luajtur legjenda të mëdha të futbollit botëror, premtoj se do të jap maksimumin për fanellën dhe për të bërë të lumtur tifozët”, ka thënë Kavani.
Në “Kontinentin e Vjetër”, Kavani ka luajtur për ekipe si, Palermo, Napoli, PSZH, Mançester Junajted dhe së fundmi me Valencian. Uruguaiani ka zhvilluar gjithsej 479 ndeshje duke shënuar edhe 262 gola.

