Lajm i keq për Hans Flick. Trajneri i Gjermanisë nuk do të jetë në gjendje të llogarisë sulmuesin Timo Werner për në Kupën e Botës që fillon më 20 nëntor në Katar.

Sulmuesi i Leipzig, i cili u lëndua gjatë takimit të Champions League me Shakhtar Donetsk të mërkurën, do të jetë jashtë fushës deri në fund të vitit për shkak të një “këputjeje në ligamentin e syndesmosis (kyçit)”, sipas raportimeve të klubit gjermani në një deklaratë.

Timo Werner, 26 vjeç, ka shënuar nëntë gola në 16 ndeshjet e Leipzig këtë sezon. Ai mori pjesë në gjashtë ndeshje për kombëtaren dhe shënoi dy gola. Gjermania është, së bashku me Kosta Rikën dhe Japoninë, një nga rivalët e Spanjës në fazën e grupeve të Katarit 2022. Werner ishte në pritje për të shkuar në Kupën e Botës me Hansi Flick.

