Angel Di Maria vazhdon të shënojë dhe t’i dhurojë fitore Benfikës. Pasi realizoi ëndrrën e jetës për të fituar Kupën e Botës me Argjentinën e tij në Botërorin e Katarit, El Fideo u rikthye te Benfika.

Sulmuesi i djathtë nisi në verë aventurën e dytë me “Shqiponjat e Lisbonës”, duke riveshur fanellën e kuqe pas plot 13 vitesh. 35-vjeçari nga Rosario ndodhet në formë të shkëlqyer, pavarësisht shumë viteve mbi supe.
Të premten vendosi klasiken kundër Portos me golin e tij. Di Maria shënoi golin e fitores në mesin e pjesës së dytë ndaj rivalëve nga Oporto, të cilët luajtën me dhjetë lojtarë që prej minutës së 19′ (Cardoso u largua me të kuq).
Klasikja e Portugalisë ishte tepër e luftuar, si gjithmonë. Përveç të kuqit ndaj qendërmbrojtësit të Portos, arbitri kryesor ndëshkoi edhe 9 futbollistë me të verdhë.
Di Maria ndezi festën e madhe te tifozët e pranishëm në “Da Luz” me golin e tij. Triumfi 1-0 solli parakalimin ndaj Portos dhe ngjitjen e Benfikës në krye të renditjes në kampionat.
Për momentin, pasi vendin e parë mund ta marrë Sportingu i Lisbonës në fiton në transfertën me Farensen. Me golin e fundit argjentinasi është ngjitur në kuotën e 5 realizimeve sezonale në kampionat (+2 asiste).
Tani është radha e Champions League. Me Benfikën që sfidon Interin në “San Siro” (3 tetor), me qëllimin për të marrë pikët e para në grupin D dhe për t’u hakmarrë për eliminimin e sezonit të kaluar nga zikaltrit e Inzaghit.

