
Agjencioni për Rini dhe Sport një kohë të gjatë u mundua në mënyra të ndryshme të mos pranonte faktin që Muamed Sejdini në mënyrë legjitime me 17 mars të vitit 2019 u zgjodh president i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, mirëpo si duket ngadalë edhe vetë dorëzohen para të vërtetes.
Në kushte kur për të dytin vit me radhë FFM-së i takonin vetëm zero denarë nga Agjencioni për Rini dhe Sport në ndarjen e vauçereve për klubet dhe federatat sportive, vetë drejtori i Agjencioni për Rini dhe Sport, Darko Kaeski para mediave ka thurur elozhe për Federatën e futbollit. Në fakt i pyetur se përse FFM është subjekti i vetëm sportiv që tashmë dy vite me radhë nuk përfiton asnjë denarë të vetëm nga mjetet e Qeverisë, Kaeski ka lavdëruar si shembull për tu ndjekur kreun e federetës të drejtuar nga Muamed Sejdini për faktin se pjesën e tyre të mjeteve e kanë falur për të shkuar në llogari të klubeve të futbollit.
“Vauçeri i cili ishte përcaktuar për FFM-në, është ndarë për të gjitha klubet e futbollit. Nga këtu dua të falenderoj FFM-në dhe të gjitha federatat tjera të cilët mendojnë për klubet e veta. Besoj që këtë shembull do ta ndjekin të gjitha federatat tjera dhe në këtë mënyrë të sigurojnë fonde shtesë për sportistët”, ka thënë Kaeski.
Qeveria e vendit në vit ndan 10 milionë euro për federatat dhe klubet e sportit./Sportmania.al