Trajneri Karlo Ançeloti është një “i mbijetuar” i vërtetë, si në menaxhimin e momenteve të këqija, ashtu edhe në dijeninë si t’i trajtojë ato për të qëndruar në këmbë. Fitorja ndaj Leganes, që i siguroi kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit, është shfaqja e fundit se si të mbijetosh përballë vështirësive. Sepse përtej tensionit të ditëve të fundit dhe goditjes së rëndë të pësuar pas disfatës së papritur ndaj Espanjolit, problem kanë qenë sërish dëmtimet.

Ançeloti u përball me një tjetër seri mungesash, u paraqit në Leganes me tetë mungesa, pesë për shkak dëmtimesh (Karvahal, Militao, Kamavinga, Rudiger dhe Alaba) dhe tre si masë paraprake nga frika e më shumë mungesave që do të shkaktonin panik (Kurtua, Mbape dhe Bellingam).
Dhe Ançeloti doli i padëmtuar nga ky “kurth” i ri, duke e kthyer skuadrën në rrugën e fitores me një tjetër kthesë në njëmbëdhjetëshen titullare me dy “fëmijë” si dyshja e qendrës në mbrojtje.
Kjo është ndeshja e shtatë e sezonit që Reali luan me gjashtë ose më shumë mungesa, me një rekord prej gjashtë fitoresh dhe një humbje (Liverpul). Sezonin e kaluar ata luajtën 15 ndeshje në këtë situatë kritike, me 12 fitore dhe tri barazime. Në sezonin 2022-23, dy të tjera, me një fitore dhe një humbje (Majorka).
Në total, vetëm dy humbje në 24 ndeshje me gjashtë ose më shumë mungesa në tre sezonet e fundit. Një ushtrim mbijetese, me Ançelotin si aktorin kryesor. Dëmtimet e kanë çuar atë në kufi, si pak raste që dikush mund ta kujtojë dhe pothuajse gjithmonë ka arritur t’i kapërcejë këto situata, të cilat kanë rrezikuar seriozisht objektivat e Realit të Madridit.

