Dy gola nga kapiteni i skuadrës, fitore me shumë peshë dhe festë së bashku me tifozët. Kështu u mbyll sfida mes KF Shkëndija dhe FK Pelister, ku tetovarët triumfuan me rezultat 2:1 falë dy realizimeve të Besart Ibraimit.

Pas ndeshjes, sulmuesi kuqezi nuk e fshehu kënaqësinë për kontributin e tij vendimtar, duke theksuar rëndësinë e tre pikëve të arkëtuara.
“Normalisht që jam i lumtur për dy golat në ndeshjen e sotme, morëm tre pikë shumë me vlerë për ne. Më i lumtur jam që i dhashë skuadrës fitoren dhe tre pikë. Për Ramazan, Zoti çdo herë është me ne dhe besoj që në kohën e agjërimit na shkon shumë më mirë”, deklaroi Ibraimi, duke e lidhur suksesin edhe me muajin e shenjtë.
Ai vuri në pah edhe rolin e pazëvendësueshëm të tifozëve, të cilët i cilësoi si forcë shtesë për ekipin në çdo sfidë.
“Si çdo herë e kam thënë se publiku është lojtari jonë i 12-të. I falenderoj shumë për përkrahjen që ma dhanë sot, shpresoj në të njejtën mënyrë do të na japin përkrahje edhe në ndeshjet tjera, pasi tani kemi nevojë shumë për ata. Duhet të jemi të bashkuar dhe në fund me ndihmën e Zotit, t’ia dalim të gjithë së bashku”, u shpreh ai.
Golashënuesi i dyfishtë pranoi se emocionet ishin të veçanta në momentin e realizimit, duke përshkruar ndjesinë e festës me tifozët si një nga momentet më të bukura për çdo futbollist.
“Ta them të drejtën sot u emocionova shumë kur shënova golin dhe menjëherë mu kujtua ajo ndjenja kur shënon dhe feston me tifozët, kur e sheh se e duan klubin pa asnjë lloj interesi. Kjo më plotëson dhe më kënaq kur e festojmë të gjithë së bashku”, përfundoi Ibraimi. /Sportmania/

