Nuk ka ndryshime te Voska Sport. Edhe pas shumë tentativave për hyrjen e një sponsori turk te skuadra shqiptare nga Ohri, megjithatë Voska do të vazhdojë nën udhëheqjen e Nefi Useinit.

Pas përfundimit të gjysmësezonit vjeshtor në elitë, nga Voska paralajmëruan se do të kenë ndryshime në kryesi dhe sponsor, duke sjellur disa futbollist të rinj dhe trajner të ri. Por, informacionet e fundit të “Sportmania” thonë se sponsorët turk janë larguar nga Voska, së bashku me trajnerin dhe drejtorin sportiv, Jeton Nesimi, ku për këtë të fundit kemi njoftuar edhe më herët.
Sipas burimeve jo zyrtare, sponsorët nga Turqia nuk kanë realizuar asgjë nga premtimet paraprake, duke manipuluar me situatën dhe rrethanat. Dhe mbas gjithë ngjarjeve të ndodhura, Nefi Useini nuk ka dashur të bashkëpunoj me individ jo korrekt dhe jo stabil, kur bëhet fjalë për një klub serioz dhe me ambicie për të vazhduar garat në Ligën e Parë.
Në këtë situatë, Nefi Useini do të vazhdojë të mbetet pronar i Voska Sport dhe të investojë edhe më tutje në këtë klub.
Ndërkohë, ditëve në vijim pritet që të emërohet një trajner i ri te Voska dhe gjithashtu të prezantohen edhe disa futbollist.
Voska Sport këtë sezon, për objektiv ka mbetjen në mesin e më të mirëve të futbollit vendor.

