Ardit Demiri i Voska Sport flet për sezonin e ohridasve

FC Voska Sport sot (16:00) në Ohër ndeshet me Arsimin e Çegranit, ndërsa kërkojnë tre pikë për të përforcuar pozitën e parë në renditje. Ekipi i drejtuar nga tekniku tetovar, Berat Imeri po zhvillon një super sezon deri në këtë fazë, derisa në ndeshjet e mbetura kanë nevojë të menaxhojnë situatën dhe fundin e sezonit ta presin me ëndërrën e madhe të realizuar, Voska Sport anëtare e Ligës së Parë. 

Për pjesën e deritashme të sezonit pët faqen e klubit në Facebook ka folur mesfushori tetovar i Voska Sport, Ardit Demiri. 

“F.C. Voska Sport ka dëshmuar se ka një grup shumë të mirë, ekipi është i motivuar dhe maksimalisht i përgatitur për të vazhduar me serinë e rezultateve pozitive”, është shprehur Demiri, fëmijë i ritur në kategoritë e reja të Shkëndijës së Tetovës, ndërsa tashmë pjesë e rëndësishme e Voskës. Realizimi i objektivit madhor kërkon shumë mund dhe në këtë fazë sfidë në vete është edhe orari i ngjeshur me ndeshje fundjavë-mesjavë. 

“Është ngarkesë pa dyshim, sidomos që jemi edhe ka fundi i sezonit, mirëpo ne jemi profesionistë dhe e menaxhojmë situatën. Ashtu që mund të them lirisht se ekipi është gati për ti përballuar ndeshjet me sukses deri në fund”, shtoi Demiri. 

Objektivi i Voskës dihet, inkuadrimi në elitën e futbollit vendor, por këtë ekipi don ta bëjë me stil dhe me vendin e parë apo titullin kampion i Ligës së Dytë. 

“Ne si skuadër i marrim ndeshjet një nga një, deri në arritjen e qëllimit që e kemi si klub. Jemi shumë afër për të bërë ëndërrën realitet dhe në fund shpresojmë të jemi ne kampionët”, përfundoi Ardit Demiri. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close