Më shumë se shtatë vite pjesë e klubit, Uka është një nga kuadrot e rritura dhe të përgatitura brenda strukturave të Shkëndijës, ndërsa ndryshimet e fundit pasqyrojnë planin e klubit për të ndërtuar një menaxhment të qëndrueshëm me njerëz nga brenda.

Ndryshimet e fundit në strukturën e KF Shkëndija nuk janë të rastësishme. Përtej emërimeve të reja në pozita drejtuese, ato pasqyrojnë një filozofi të qartë të klubit për të përgatitur kuadro nga brenda dhe për t’u besuar atyre përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha.
Në qendër të këtij riorganizimi është Valdrin Uka, i cili është emëruar Drejtor Ekzekutiv i Shkëndijës. Uka është pjesë e klubit prej më shumë se shtatë vitesh dhe gjatë kësaj periudhe ka qenë pranë strukturave drejtuese, duke ndjekur nga afër funksionimin dhe zhvillimin e klubit. Vitet e kaluara në menaxhmentin e Shkëndijës e kanë shërbyer si një proces i gjatë përgatitjeje dhe kalitjeje për përgjegjësinë e re.
Në të njëjtën linjë janë edhe ndryshimet në Departamentin Sportiv. Erhan Selimi, deri tani Drejtor i Shkollës së Futbollit, avancon në pozitën e Drejtorit Sportiv, ndërsa Festim Ademi, pas rolit të Team Menaxherit, emërohet Drejtor Teknik i Departamentit Sportiv.
Të tre emërimet kanë një të përbashkët: bëhet fjalë për njerëz që tashmë njohin nga afër klubin, strukturën dhe mënyrën e funksionimit të tij. Kjo tregon se Shkëndija prej kohësh ka punuar në krijimin dhe përgatitjen e kuadrove të veta për pozita udhëheqëse.
Me vizionin dhe mbështetjen e drejtuesve dhe sponsorit të klubit, ndryshimet janë pjesë e një plani për një organizim më të balancuar dhe më profesional, duke ndjekur modelin e klubeve moderne ku investimi nuk bëhet vetëm te skuadra, por edhe te njerëzit që e drejtojnë dhe e zhvillojnë organizatën.
Në këtë drejtim, Shkëndija po tregon se kuadrot nuk kërkohen vetëm jashtë klubit, por ndërtohen, zhvillohen dhe përgatiten edhe brenda tij.

