Mesfushori brazilian Rafael Freitas foli para mediave në prag të ndeshjes me Bregallnicën, duke pranuar zhgënjimin pas eliminimit nga Hiberniani, por theksuar se skuadra duhet të rikthejë menjëherë fokusin te kampionati.

Shkëndija të dielën përballet me Bregallnicën e Shtipit në kompleksin e FFM-së, në kuadër të xhiros së tretë të Ligës së Parë. Kuqezinjtë vijnë pas dy fitoreve në dy ndeshjet e para dhe me gol-diferencë 5:0, ndërsa pas përfundimit të aventurës evropiane objektivi kryesor mbetet kampionati dhe rikthimi i titullit.
Beaziliani Freitas pranoi se eliminimi nga Hiberniani ka lënë zhgënjim te skuadra, por vlerësoi paraqitjet në të dyja ndeshjet ndaj skocezëve.
“Jemi të dëshpëruar dhe të trishtuar që nuk arritëm të kalojmë më tej. Mendoj se e meritonim, pasi ishim më të mirë në të dyja ndeshjet. Por ky është futbolli. Tani duhet ta ndryshojmë marshin sa më shpejt dhe të fokusohemi te kampionati.”
Braziliani beson se Shkëndija mund ta ruajë nivelin e treguar në Evropë edhe në kampionat, duke kërkuar përmirësim nga ndeshja në ndeshje.
“I kemi të gjitha kushtet dhe mundësitë për të vazhduar të tregojmë futboll të mirë gjatë gjithë kampionatit. Duhet të tregojmë forcën e grupit dhe të ruajmë nivelin e lojës që patëm në Evropë për të arritur objektivat tona.”
Në fund, Freitas theksoi peshën e fanellës së Shkëndijës dhe objektivin e qartë për sezonin.
“Kur vesh fanellën e Shkëndijës, çdo ndeshje merr edhe më shumë peshë. Është një klub që gjithmonë kërkon të fitojë dhe të shpallet kampion. Këtë vit do të përpiqemi t’ia rikthejmë titullin klubit, aty ku meriton të jetë.”
Shkëndija – Bregallnica zhvillohet të dielën në kompleksin e FFM-së, me fillim në ora 19:00.

