Klubi nga lagjja e njohur tetovare organizoi një mini-spektakël sportiv, duke rikthyer në fushë emra të njohur të futbollit që kanë dalë nga Cetinska.

KF Cetinska, klubi i ri që mban emrin e një prej lagjeve më të njohura të Tetovës dhe që aktualisht kryeson në Ligën e Katërt me ambicie për ngjitje në Ligën e Tretë, organizoi në fundjavë një event të veçantë sportiv dhe emocional për komunitetin futbolldashës.
Në një atmosferë festive dhe nostalgjike, gjenerata aktuale e Cetinskës u përball në fushë me ish-futbollistë dhe legjenda që kanë dalë nga kjo lagje, duke sjellë emocione dhe kujtime të bukura për publikun e pranishëm.
Në event morën pjesë emra të njohur të futbollit si Harun Isa, Ismail dhe Ejup Sulejmani, Ferhan Hasani, Erhan Selimi, Fati Huseini, Bashkim Arifi, Muhamed Useini, Mevlan Murati, Ibrahim Luma, Ferat Abdullai dhe shumë emra të tjerë që ndër vite kanë lënë gjurmë në futbollin vendor.
Disa prej tyre zbritën në fushë dhe luajtën, ndërsa të tjerë ishin të pranishëm për shkak të angazhimeve profesionale apo pamundësisë fizike për të luajtur, por gjithsesi u bënë pjesë e këtij organizimi special.
Përveç aspektit sportiv dhe argëtues, eventi solli edhe një rikthim emocionesh dhe nostalgjie për kohët kur këta futbollistë dhuronin spektakël, kryesisht në arenën e KF Shkëndija, duke u kthyer në figura emblematike jo vetëm për Tetovën, por edhe për futbollin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Një organizim që u vlerësua pozitivisht nga të pranishmit dhe që shihet si shembull i mirë për ruajtjen e lidhjes mes brezave, komunitetit dhe futbollit.

