Dikur dukej i dorëzuar, një nga skuadrat më të dobëta të fazës së vjeshtës, me mbijetesën që shihej si mision pothuajse i pamundur. Rabotniçki e nisi pranverën me vetëm 7 pikë, një fitore dhe katër barazime në 16 ndeshje, një bilanc që pak kush do ta merrte përsipër ta ndryshonte.

Por Muarem Muarem mendoi ndryshe. Në moshën 37-vjeçare pranoi sfidën, ndërtoi ekipin me mundësitë që kishte dhe i dha skuadrës një drejtim të ri. Rezultatet nuk vonuan, në 12 ndeshje kampionale, ekipi numëron 7 fitore dhe 5 humbje, një kthesë e qartë në raport me fazën e parë.
Rruga nuk ka qenë pa luhatje. Fitore dramatike si ajo 4:3 ndaj AP Brera u pasuan nga zhgënjime, përfshirë eliminimin nga Kupa dhe humbje të papritura në kampionat. Por pikërisht aty erdhi edhe kthesa. Përveç përgatitjes fizike, skuadra mori një “injeksion” psikologjik që u reflektua në katër fitore radhazi, ndaj Arsimit, Bashkimit, Sileksit dhe Strugës.
Sot, me 28 pikë, Rabotniçki vazhdon të jetë në zonën e rrezikut, por ndryshe nga disa muaj më parë, tashmë është realisht në lojë për mbijetesë. Diferencat janë ngushtuar, atmosfera në ekip është pozitive dhe puna e stafit teknik po jep efekt të dukshëm.
Pesë ndeshjet e mbetura janë pesë finale. Por një gjë është e qartë, skuadrat rivale nuk e kanë më të lehtë përballjen me “romantikët”. Me këtë ritëm dhe këtë frymë, Muarem Muarem dhe Rabotniçki po afrohen drejt një mrekullie që në dimër dukej e pamundur.

