Profesori universitar dhe trajneri kondicional, dr. Metin Dalipi, ka reaguar me një postim të drejtpërdrejtë dhe reflektues në rrjetet sociale, duke ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si funksionon zhvillimi i futbollistëve të rinj.

Sipas Dalipit, futbolli shpeshherë mbulohet me terma si “shkollë për të rinj”, “zhvillim” dhe “organizim”, por realiteti në fushë tregon të kundërtën: mungesë lojtarësh të formuar realisht. Ai thekson se arsyeja kryesore nuk është mungesa e talentit, por presioni dhe frika e trajnerëve për të ruajtur pozicionin e tyre.
“Dy humbje dhe karrigia lëkundet. Me atë presion trajneri del në fushë dhe nuk mendon për zhvillim, por për mbijetesë”, shkruan Dalipi. Në këtë klimë, lojtari kufizohet, frenohet nga rreziku, iniciativa dhe gabimi, duke u kthyer në një futbollist të disiplinuar, por pa guxim dhe pa mendim të lirë.
Ai nënvizon se fokusi i tepruar te rezultati i momentit e dëmton të ardhmen, pasi zhvillimi, performanca dhe cilësia e vendimmarrjes nuk maten, ndërsa krijohen “lojtarë kallëp” që nuk evoluojnë.
“Sistem i fokusuar te karrigia nuk krijon lojtarë. Trajner që nuk është i guximshëm, nuk mund të krijojë lojtar të guximshëm”, përfundon Dalipi, duke sqaruar se ky qëndrim nuk është kundër askujt, por një thirrje për t’i dhënë vlerë futbollit dhe potencialit të rinisë, jo ruajtjes së posteve.
Një mesazh i fortë që hap debat dhe kërkon reflektim serioz në të gjitha nivelet e futbollit.

