Musa Ali, një djalë i ri nga Shkupi, po tregon një zhvillim tejet të mirë në sportin e basketbollit, duke u shfaqur si një nga talente më premtuese të gjeneratës së tij në Maqedoninë e Veriut.


Pavarësisht se ka nisur të merret me basketboll vetëm vitin e kaluar, ai ka arritur të spikasë për një periudhë të shkurtër dhe të tregojë një potencial të madh në kategorinë U14.
Ali ka filluar karrierën e tij në klubin Çair me trajnerin Artan Nika dhe gjithashtu ka pasur mundësinë të stërvitet me trajnerin Enes Jusufi, i cili ka ndihmuar në zhvillimin e tij të mëtejshëm dhe ka qenë njeriu kyç në përparimin fizik dhe disiplinor të Musa Ali.
Me shumë përkushtim dhe pasion për sportin, Musa ka treguar një angazhim të jashtëzakonshëm në stërvitje dhe ka pasur performanca të shquara në parket.
Musa Ali është djali i ish-basketbollistit Elber Ali, dhe për pjesën e mbetur të sezonit, ai do të transferohet në ekipin “Vodno Suns Partizan”, një nga skuadrat më të suksesshme të rinjve në Maqedoni.
Ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të karrierës së tij.
Për më tepër, Musa ka marrë pjesë edhe në EYBL (Liga Europiane për Gjeneratat e Reja), ku ka luajtur katër ndeshje dhe ka regjistruar dy fitore. Ky është një tjetër dëshmi e talentit dhe mundësive të mëdha që ka për të ardhmen./Sportmania/

