Mesfushori me përvojë, Zeni Husmani, është zyrtarizuar si përforcimi më i ri i skuadrës italiane Tritium Calcio 1908, klub që garon në Serie D (kategoria e katërt) e Italisë dhe që e ka cilësuar këtë lëvizje si një “goditje e madhe”.


Husmani ishte pjesë e Gostivarit në sezonin e kaluar në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut, ku u dallua me stabilitetin dhe përvojën në mesfushë. Më herët, ai ka qenë edhe pjesë e KF Shkëndijës, ndërsa pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e karrierës së tij lidhet me NK Domžale në Slloveni, ku për një dekadë mbajti edhe shiritin e kapitenit dhe zhvilloi paraqitje të shumta në garat evropiane.
Me mbi 400 paraqitje në kampionatet elitare të Kroacisë, Sllovenisë, Turqisë dhe Maqedonisë, Husmani i shtohet Tritium-it si një lider i vërtetë në mesfushë, i gatshëm të udhëheqë skuadrën në objektivat e reja.

