Një tjetër mbrëmje e madhe për boksin shqiptar dhe për qytetin e Tetovës! Leonard Abazi ka regjistruar fitoren e pestë radhazi në boksin profesionist, duke triumfuar ndaj kundërshtarit serb, 30-vjeçarit Nebojsha Glishiç, në një duel të zhvilluar mbrëmë në Leverkusen të Gjermanisë.

Edhe pse vetëm 19 vjeç, “Princi i Tetovës” tregoi një paraqitje dominuese ndaj një kundërshtari me më shumë eksperiencë, duke konfirmuar edhe një herë potencialin e tij të jashtëzakonshëm në ring.
Përmes një postimi emocional në rrjetet sociale pas ndeshjes, Abazi ndau përjetimet e tij për sfidën dhe sakrificat e bëra gjatë përgatitjeve:
“Kjo nuk ishte vetëm një fitore në ring, por një luftë personale me kufijtë e trupit dhe shpirtit tim. Përgatitjet nuk kanë qenë të lehta. Muaji i shenjtë i Ramazanit më ka kërkuar gjithçka – agjërim, stërvitje, sakrificë. Pa ujë, pa ushqim gjatë gjithë ditës, por kurrë nuk mendova të dorëzohem. E dija për çfarë po luftoja.”
Duke shfaqur përkushtim të plotë dhe vendosmëri në çdo raund, Abazi shtoi:
“U futa në ring me një qëllim: t’ju tregoj çfarë kam brenda meje. Shpresoj që e ndjetë shpirtin, dhimbjen dhe përkushtimin tim në çdo goditje, në çdo lëvizje.”
Kjo fitore e radhës e forcon pozicionin e Leonard Abazit si një nga talentet më premtues në boksin profesionist shqiptar, ndërsa mesazhi i tij për përkrahësit ishte i qartë:
“Kjo fitore nuk është vetëm e imja, është edhe e juaja! Me ju pranë, do të bëhemi vetëm më të fortë, më të mëdhenj dhe të pandalshëm. Mezi po pres me u fut sërish në ring, bashkë me ju!”
Sportmania e përgëzon Leonard Abazin për këtë sukses dhe i uron vazhdim të mbarë në rrugëtimin e tij drejt majave të boksit botëror.

