Vajzat e Çairit nënshtrojnë edhe Vardarin 

Hendbollistet e Çairit mbrëmë e justifikuan statusin e favoritit në përballjen ndaj Vardarit, duke triumfuar me rezultat 35:33 (17:15) në ndeshjen e xhiros së 5-të të fazës play-off në Ligën e Femrave.

Ish-kampionet e Maqedonisë patën epërsinë fillestare me 1:0, por më pas ndeshja u zhvillua nën diktatin e skuadrës mike, e cila me këtë fitore u ngjit në vendin e dytë në renditje.

Çairi i Basri Latifit hyri fuqishëm në lojë dhe shpejt krijoi një avantazh të sigurt, 7:3 dhe e mbajti kontrollin e rezultatit deri në fund të pjesës së parë.

As në pjesën e dytë vendaset nuk arritën të barazonin rezultatin. Në një moment u afruan në 24:23, por më pas Çairi, me disa lojtare në formë të mirë, riktheu epërsinë në tre-katër gola, duke mos i lënë asnjë mundësi kundërshtarit për një përmbysje.

Te Çairi, performancë të shkëlqyer pati sërish anësorja e majtë, Stefania Gjorgievska, e cila realizoi dhjetë gola. Atë e ndoqën Teodora Gulicoska me tetë dhe Teodora Dukoska me shtatë realizime.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close