Derbi Partizani-Tirana për herë të parë në stadiumin e kuqezinjve, por në një orar të pazakontë 

Spektakli i futbollit shqiptar rikthehet nesër me derbin e kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës, i cili për herë të parë në histori do të zhvillohet në stadiumin e ri të kuqezinjve. Megjithatë, vendimi për të luajtur ndeshjen në orën 13:30 ka ngjallur polemika, pasi është një orar aspak i zakonshëm për një përballje të tillë.

Policia e Shtetit nuk ka dhënë leje që takimi të luhet në mbrëmje nën ndriçimin e prozhektorëve, me arsyetimin se nuk mund të garantohet siguria e tifozëve në zonën përreth stadiumit. Sipas autoriteteve, impianti i Partizanit ndodhet në një zonë periferike të kryeqytetit, ku mungojnë elementët e nevojshëm të sigurisë.

Një tjetër vendim që ka shkaktuar pakënaqësi është kufizimi i biletave për tifozët bardheblu. Tirana ka marrë në dispozicion vetëm 200 bileta, të cilat do t’u shpërndahen familjarëve të lojtarëve dhe jo grupimeve ultras, për shkak të masave të sigurisë.

Pavarësisht polemikave, derbi i nesërm pritet të jetë një përballje emocionuese, me Partizanin që synon të inaugurojë stadiumin e tij me një fitore historike, ndërsa Tirana kërkon të prishë festën e rivalëve të përjetshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close