Interi do të niset për në Riad që sot; Atalanta, Juventus dhe Milan do të largohen ditën e nesërme, natën e ndërrimit të viteve.

Skuadra e Simone Inzagit ka vendosur të luajë paraprakisht dhe në krahasim me skuadrën e Gasperinit do të kenë 24 orë më shumë për t’u përshtatur me ndryshimin e temperaturës në krahasim me Italinë (20 gradë në Arabi) dhe të jenë gati për të parën nga dy gjysmëfinalet, atë të së enjtes së 2 janarit. Fillimi në stadiumin e Al Nasrit të Kristiano Ronaldos, në orën 20:00 me orën shqiptare, 22:00 me orën lokale.
Një ditë pas Juventus-Milan, ndërsa finalja është caktuar të hënën më 6 janar. Të katër skuadrat do të kenë të gjitha fushat e tyre stërvitore: “Zonja e vjetër” do të jetë në atë brenda qendrës teknike të Al Shababit, Milani në një nga fushat jashtë së njëjtës qendër, Atalanta do të punojë në stadiumin “Prince Faisal” dhe Interi në fushën me bar të stadiumit “Al Riad”. Turneu i Superkupës do të ketë standardet e prodhimit televiziv të ndeshjeve të mëdha të Serisë A dhe do të ndiqet në mbi 160 shtete. Me “EA Sports” si sponsor kryesor, grafika televizive do të jetë ajo e videolojës popullore të futbollit.
SKUALIFIKIMET – Lojtarët që janë përjashtuar me karton të kuq ose kanë plotësuar numrin e të verdhëve në turin e fundit të kampionatit nuk do të vuajnë pezullimin në Superkupë, por në kampionat kur ai sapo të rinisë për ekipet përkatëse. Kjo ka qenë një zgjedhje e Federatës Italianë dhe Ligës së Serisë A për të eksportuar “versionin” më të mirë të topkëmbës italiane. Në dy gjysmëfinalet, nëse një lojtar në rrezik skualifkimit për në Serinë A merr një karton të verdhë, ai do të luajë përsëri në finalen eventuale dhe do të humbasë ndeshjen e ardhshme të kampionatit. E vetmja mënyrë për të qenë spektator në finalen e 6 janarit është kartoni i kuq në gjysmëfinale. Ndeshjet do të luhen me një top special të punuar nga kompania e njohur “Puma”. Interi dhe Juventusi do të luajnë si ekipe pritëse ndeshjet e tyre pasi janë kampione në fuqi të Serisë A dhe Kupës së Italisë, pra secili nga këto klube do të përdorë atë që zyrtarisht njihet si fanella e parë.
YJET DHE EVENTE- Delegacioni i Ligës së Serisë A është nisur drejt Riadit të shtunën që lamë pas. Ai përbëhet nga rreth 60 persona dhe ka pasur edhe trofeun me vete, në një bagazh të punuar nga një markë italiane e modës së lartë. Shtatë ditë me evente janë tashmë të planifikuara dhe është e garantuar prania e legjendave dhe ambasadorëve të futbollit italian si Kanavaro, Ferrara, Pirlo, Toni, Del Piero, Vieri, Zambrota, Kapello dhe Di Biaxho.
PREMIOT DHE ARBITRAT – Në çdo ndeshje të turneut të Superkupës nëse rezultati do të jetë në barazim në fund të 90 minutave të rregullta nuk do të ketë dy kohët tradicionale shtesë. Për pasojë fituesit do të vendoset menjëherë me goditjet nga pika e bardhë. Duke qenë se të shtunën, dje dhe sot ka ndeshje të planifikuara për një tur të Serisë A, tri gjashtëshe arbitrash janë zgjedhur për të gjykuar ndeshjet e Superkupës. Ato do të nisen “të ndara” drejt Riadit. Sa për premiot, ato kapin vlerën e 4 milionë eurove për secilën pjesëmarrëse. Më pas 8 milionë shkojnë për fituesin, 5 milionë për finalistin tjetër dhe nga 1,6 milionë për gjysmëfinalistët e mundura.
PANORAMASPORT.AL

