Benjamin Imeri: Jam përgatitur për performansë të veçantë, të shtunën në Tetovë do të ketë spektakël 

Në prag të meçit të tij të radhës që do të zhvillohet të shtunën në Tetovë në kuadër të spektaklit të boksit “NIGHT OF THE CHAMPIONS” organizuar nga Halim Abazi me klubin e tij Box Club Shkëndija No Limit, boksieri profesionist Benjamin Imeri ka ndarë disa detaje rreth përgatitjeve dhe pritshmërive për këtë sfidë të rëndësishme. Kundërshtari i tij, serbi Milosh Jenjanin, pritet të sjellë një përballje të fortë dhe sfiduese.

Benjamin Imeri ka investuar shumë në përgatitjet fizike dhe tekniko-taktike për këtë meç, duke mos anashkaluar as aspektin psikik për ngritjen e nivelit të tij. Në intervistën e tij, Imeri thekson:

Kam punuar shumë fort për këtë meç. Përgatitjet fizike kanë qenë intensive dhe jam përqendruar shumë në aspektet tekniko-taktike për të qenë në formë optimale. Gjithashtu, kam kushtuar shumë vëmendje aspektit psikik, duke e ditur sa e rëndësishme është kjo për një performancë të shkëlqyer”.

Qëllimi i Benjaminit është të dhurojë një performancë sa më të mirë për tifozët dhe për vetëvlerësimin e tij. Ai ka zgjedhur qëllimisht një rival të fortë si Milosh Jenjanin për të mos taktizuar, por për të matur forcën reale të tij.

Nuk kam dashur të zgjedh një kundërshtar të lehtë. Kam zgjedhur Miloshin qëllimisht, sepse dua të mas forcën time reale dhe të tregoj vetveten. Për mua, ky meç është më shumë se një fitore e mundshme, është një test për të parë se ku qëndroj në këtë fazë të karrierës sime,” thotë Imeri.

Të gjithë adhuruesit e boksit janë të ftuar të ndjekin këtë spektakël të jashtëzakonshëm në Tetovë dhe të mbështesin Benjamin Imerin në këtë sfidë të rëndësishme. 

Spektakli i boksit “NIGHT OF THE CHAMPIONS” zhvillohet të shtunën në mbrëmje në sheshin “Iliria” në Tetovë, ndërsa do të ketë 12 lufta të boksit profesionist dhe program artistik me këngëtar të njohur si reperi tetovar “Illmill” apo ylli i njohur Gold AG.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close