Principe loje dhe ligje thelbësore për dhomat e zhveshjes. Juventusi i Tiago Motës nuk do të jetë i ristrukturuar vetëm nga merkato, e cila do të do të jetë e kolauduar mes drejtorit Kristiano Xhuntoli dhe trajnerit të ri, por edhe nga idetë e forta të ish-“magjistarit” në Bolonja. Në një ndeshje Mota kërkon: shtimin e presionit total ndaj kundërshtarit, zotërimin e hapësirave të fushës dhe kurajë në zgjedhje. Në stërvitje: Intensitet, të qenit kompetitiv dhe topi gjithmonë në qendër të çdo seance. Në menaxhim: Asnjë nuk e ka vendin e garantuar, qoftë edhe veterani apo ylli i skuadrës.

TIAGO NË “KONTINASA” Pasi u transferua nga fusha në stol, Mota ka pretenduar gjithmonë shumë nga lojtarët e tij, nga çdo pikëpamje, por duke matur gjithmonë ai pulsin e situatës. Edhe pse të gjithë flasin për një temperament të ashpër dhe një disiplinë strikte, trajneri i ri ka treguar gjithmonë meritokraci. Dhe kjo sepse stërvitjet e tij janë të bazuara në planin e lojës që kërkon të shpalosë në fushë. Kjo, duke nisur nga intensiteti, i cili duhet të jetë shumë i lartë nga ana e të gjithë skuadrës. Jo më kot në Bolonja, gjatë stërvitjeve të tij, nuk pranohej që të kalonte as miza, edhe pse Tiago dinte edhe sesi dhe kur të zhdramatizonte situatën, të bënte shakara. Gjithsesi, nëse dikush imagjinon të shohë lojtarët e Juves që të vrapojnë në pyll me pesha mbi kurriz, si marinsa, këtë ta harrojnë. Në qendër të gjithçkaje, edhe në anën atletike, protagonisti është gjithmonë i njëjti; topi! Një filozofi që Mota e ka zhvilluar në kohët e Barcelonës, aty ku gatuhej prej vitesh “salca holandeze” mes Krojfit, Van Galit e më pas Rajkardit. “Topi duhet të jetë miku më i mirë i çdo lojtari” është motoja e Tiago Motës, i cili e sheh sferën e lojës më të bukur në botë si një aleat dhe jo si një send.
“VENDOS VETËM UNË” Futbollisti duhet të ndihet i përfshirë dhe përgjegjës për fatin e tij, një tjetër koncept që lojtarët e Juventusit duhet ta ngulisin mirë në kokë, nëse duan të fitojmë besimin e Tiago Motës. Sepse me ish-mesfushorin luan vetëm ai që stërvitet më mirë, jo kush ka emrin më të madh apo statusin më të rëndësishëm. Talent, dedikim dhe përshtatshmëri janë metrat e vendimeve të tij, mbi ata që do të zbresin në fushë në fundjavë apo në mesjavë. Dhe kjo u pa shumë qartë në Bolonja, ku Tiago Mota habiti të gjithë duke i besuar Zirkzes si titullar kur të gjithë prisnin Arnautoviçin, edhe pse ky i fundit ishte lojtari më i paguar i skuadrës. Shkurt, Mota nuk sheh në fytyrë askënd dhe askush të mos ndihet i privilegjuar përballë tij.
LOJA QË PRETENDON Tiago gjithashtu ishte edhe trajneri që bëri Bolonjën të luante në mënyrë të mrekullueshme, aq sa falë ideve të tij e kualifikoi në Champions. Si? Duke besuar në evoluimin e lojës. Me të nuk ka role fikse, por lojtarë funksionalë në varësi të zonave të fushë dhe të situatave të momentit. Kështu, Kalafiori, që Mota do e donte me vete në Torino, nga qendërmbrojtës shpesh shndërrohej në një pushtues të zonës rivale duke avancuar shumë metra përpara dhe duke u transformuar shpesh në një organizator të 30-40 metrave të fundit të fushës. Për të krijuar dendësi duhet të thithësh presionin e rivalëve deri në një pikë sa të krijohen hapësira boshe në të cilat gjithmonë një tjetër lojtar duhet të kërkojë topin dhe më pas të reagojë edhe me instikt, por gjithmonë me lëvizje të koordinuara që të kuptohen edhe nga lojtarët e tjerë. Ideja e Tiagos është ajo që shpesh qendërsulmuesi i skuadrës të transformohet edhe në një fantazist, ndërsa mesfushorët të shndërrohen në sulmues që synojnë nga të gjitha anët zonën rivale.
Për këtë arsye Mota së bashku me Xhuntolin kërkojnë dy mesfushorë multifunksionalë si Duglas Luis dhe Kopmainers. Dhe atëherë kur të gjithë të kenë asimiluar principet bazë të lojës së trajnerit, ky i fundit pëlqen shumë edhe faktin kur një lojtar i tij tregon kurajë, kur ai nuk kënaqet duke bërë atë pasimin banal të rastit, por të kërkojë edhe një zgjedhje personale të paparashikueshme dhe pikërisht për këtë arsye sërish Mota dhe Xhuntoli kanë rënë dakord pse duan të afrojnë në Torino një si Grinudi. Shkurt, Juventusi i ri nuk duhet të ketë vetëm principe loje bazë, por mbi të gjitha të tregojnë personalitet, pikërisht ato karakteristika që vetë Tiago Mota tregonte kur luante vetë në fushë dhe me të majtën e tij dinte sesi të ekzaltonte “turmën”, por edhe të godiste kundërshtarët…

