Të enjten në Shkup do të zhvillohet ndeshja e parë kontrolluese, nga dy të parapara ndërmjet përfaqësueseve U21 të Maqedonisë dhe Kosovës, me shpresat e vendit të udhëhequr nga seleksionuesi Dragan Kanatllarovski që kanë grumbulluar futbollistë të lindur në vitet 2002/2003. Në mesin e lojtarëve të grumbulluar bën pjesë edhe mesfushori defanziv i Shkëndijës së Tetovës, Reshat Ramadani. Kuqezinjtë tetovarë viteve të fundit krahas dominimit në futbollin vendor me ekipin e parë, kanë vendosur një seri admiruese te moshat duke fituar tituj në kontinuitet me të gjitha gjeneratat. Kjo ka bërë që vazhdimisht në ekipin e parë të promovohen talentë nga shkolla e që me kalimin e kohës shndërohen në lojtarë të rëndësishëm në kategori të të rriturve. 18 vjeçari Ramadani është lojtari i radhës që është promovuar te Shkëndija dhe që me sinjalet që po jep pritet të ritet në futbollist serioz. Mesfushor defanziv me një fizik shumë të mirë për moshën që ka, i saktë në rolin si shkatërues dhe me një vizion të qartë për lojën. Është vëllau i Florent Ramadanit, tashmë lojtar standard te Shkëndija dhe anëtarë i Maqedonisë U21, por krahas moshës dallimi është se Reshati luaj si shkatërues, për dallim nga Florenti që është fantazist dhe pëlqen të vendoset më i avansuar në terren.

“Jam shumë i lumtur që jam grumbulluar për këto ndeshje testuese me Maqedoninë U21 përballë Kosovës. Shpresoj të marr shans për të luajtur dhe do të mundohem të jap më të mirën për të treguar cilësitë e mija në këto ndeshje ndërkombëtare”, shprehet Reshat Ramadani, nga kampi i Maqedonisë U21.
Edhe pse luan rregullisht me Shkëndijën U19, Reshat Ramadani këtë sezon debutoi me ekipin e parë të kampionëve të vendit më 19 shtator në takimin Skopje-Shkëndija (0:2), ndërsa në vazhdim nga 11-të përfshirje në ekip luajti edhe në duelet me Borecin, Makedonija Gj.P. dhe sërish Skopjen, kësaj radhe në Tetovë.
“Për çdo lojtar të ri është ëndër të luajë me ekipin e parë të Shkëndijës. Të debutoj ishte realizim i ëndërrës, por nuk kënaqem me kaq pasi dua dhe besoj se mund të jem i rregullt në formacion. E dij se duhet shumë punë dhe durim, por jam i gatshëm të jap gjithçka për të merituar më shumë hapsira”, përfundoi i riu Ramadani, që pritet të ritet si futbollist nëse vazhdon zhvillimin dhe punën me ritmin e bërë si deri tani.


