Gjilani dhe Prishtina kanë ndarë pikët pasi kanë luajtur me barazim 1-1 në derbin e luajtur në Gjilan.

Prishtina kaloi e para në epërsi pas goli të shënuar nga Mendurim Hoti në minutën e 31-të, gol me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë gjërat u përkeqësuan për vendasit pasi mbeten me një futbollist më pak kur Muhamed Useini u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 57-të.
Gjilani nuk u dorëzua dhe arritën të barazojnë rezultatin me anë të Gerhard Prognit i cili u tregua i saktë nga pika e penalltisë në minutën e 66-të.
Skuadra vendase pavarësisht se ishte me një futbollist më pak, ishte më kërkuese për gol për pjesen e mbetur të lojës dhe kishte disa mundësi të mira shënimi, por heroi i prishtinasve ishte padyshim portieri Betim Halimi i cili bëri disa pritje të mëdha në këtë ballafaqim.
Me këtë barazim, Gjilani ngritet në pozitën e dytë me 22 pikë të mbledhura, aq sa ka edhe Drita, gjersa ka dy më pak se Ballkani që ka 24, kurse Prishtina mbetet në pozitën e gjashtë me 17 pikë të mbledhura. /Lajmi.net

