Të mundur nga Shkëndija dhe të nxjerë nga edicioni i sivjetshëm i Kupës me një rezultat 5:0, futbollistët e Renovës performuan krejtësisht në kundërshtim me paraqitjet e deritashme në sezonin garues 2021/2022.

E mërkura në derbin tetovar në kuadër të 1/8 së finales së Kupës solli një Renovë anemike, që krahas shkëlqimit të këtij fillim sezoni, ndaj rivalit të qytetit kishin paraqitjen më të keqe deri në këtë pikë të kampionatit dhe Kupës. Renova që mban vendin e dytë në renditje pas 10-të xhirove dhe në rradhën e disa sukseseve mes tjerash kishte mundur edhe Shkëndijën në kampionat, përfundoi keq garat e Kupës, por nga tabori i xhepçishtasve nuk kanë ndëmend të vuajnë shumë pasi kthejnë me shpejtësi vëmendjen ka kampionati, ku realisht gjërat ecin shumë mirë.
Shkupi-Renova është derbi i të shtunës që në Çair vendos përballë dy ekipet e kreut, liderin dhe vendin e dytë. Triumfi për skuadrën e Qatip Osmanit do të nënkuptonte ngjitje në pozitën e parë dhe futbollistët e Renovës duken të gatshëm për të sulmuar Shkupin në folenë e vetë. Pas debaklit nga Shkëndija të mërkurën, ka qenë zëvendës kapiteni i Renovës, Burim Sadiki ai i cili ka reflektuar në rrjetet sociale, madje duke lëshuar në mënyrë indirekte një paralajmërim për Shkupin.
“Dështuam të mërkurën por do të shkëlqejmë në ndeshjen e të shtunës”, shkruan në postimin e tij në rrjetet sociale Burim Sadiki, me një fotografi të bashkangjitur prej para fillimit të ndeshjes me Shkëndijën.
Mbetet të shihet reagimi i Renovës në terren, në një ndeshje të komplikuar ndaj një rivali të fortë si Shkupi, që deri në këtë fazë të kampionatit është ekipi i vetëm që ka treguar më shumë se Renova.
Derbi Shkupi-Renova luhet të shtunën në Çair me fillim në orën 14:00.

