Rasmus Hojlund ka qenë në krye të listës së nënshkrimeve të Manchester United dhe të dyja palët kanë arritur një marrëveshje për të nënshkruar një kontratë të vlefshme për pesë sezone, me mundësi vazhdimi edhe për një tjetër.

Sulmuesi danez (20) bëri përshtypje në sezonin e kaluar të Serisë A, duke u bërë një pjesë kyçe në sulmin e Atalantas, pavarësisht konkurrencës nga Luis Muriel dhe Duvan Zapata, dy lojtarë të njohur në futbollin italian.
Sipas Sky Sports, “Djajtë e Kuq” kanë paguar 80 milionë euro për lojtarin që mban nofkën “Haaland i ri”, për shkak të ngjashmërisë së tij me yllin e Manchester Cityt.
Rasmus Hojlund (20 vjeç/191 cm) ka lindur në Kopenhagë, ai është trajnuar në akademitë e B93, Brondby, Holbaek dhe FC Copenhagen, dhe në nivel të lartë ka luajtur për FC Copenhagen (2020-2022), Sturm Graz (2022) dhe Atalanta (2022-2023). Ai ka ndeshje për të gjitha ekipet kombëtare të Danimarkës, që nga të rinjtë deri te të rriturit.
Gjithashtu “L’Equipe” ka njoftuar se edhe Paris Saint-Germain ka paraqitur një ofertë prej 50 milionë euro për sulmuesin danez. Kampionët e Ligue 1 janë në kërkim të një golashënuesi më të mirë dhe Hojlund ka qenë një nga opsionet kryesore të parizienëve.
Manchester City i pagoi 60 milionë euro Borussia Dortmundit për Erling Haaland. Sakaq, 45 milionë euro është vlera e Rasmus Hojlund, sipas Transfermarkt.

