Një emër i ri po bie në sy në skenën e futbollit të moshave në Zvicër. Bëhet fjalë për Loris Dvoranin, futbollist i talentuar shqiptar, i lindur më 16 tetor 2009, me prejardhje nga Kosova dhe që aktualisht luan për Footrebel Zürich. Djaloshi po zhvillohet në një ambient familjar me vlera të theksuara kombëtare, ku prindërit, përveç që po ndërtojnë një biznes të suksesshëm në Zvicër, po edukojnë fëmijët me respekt për origjinën dhe identitetin shqiptar.


Loris Dvorani ka nisur rrugëtimin e tij futbollistik që në moshë të vogël dhe po dëshmon potencial të kënaqshëm, duke mbuluar disa pozita në fushë, mesfushor qendror (10, 8, 6), anësor i djathtë dhe sulmues krahu. Performanca e tij e qëndrueshme ka bërë që të tërheqë vëmendjen edhe jashtë klubit aktual, ku nën drejtimin e trajnerit Volkan Becker, asistentit Serat Qaili dhe drejtorit sportiv Fitim Arifi, është rritur në mënyrë të qëndrueshme si lojtar.
Pikërisht për këtë arsye, FC Aarau, një klub me reputacion në zhvillimin e talenteve, ka ftuar Lorisin për testime, me grumbullimin që do të nisë më 21 korrik. Ky është një hap tjetër i rëndësishëm në rrugën e tij drejt një karriere të suksesshme.
Vitin e kaluar, falë paraqitjeve pozitive, Loris Dvorani u përfshi në kampin stërvitor të përfaqësueses së Kosovës në Gjermani, ndërsa së fundmi ka marrë ftesë për herë të dytë për t’u bashkuar me përfaqësuesen kosovare të grupmoshave, gjë që tregon vlerësimin që po merr edhe në nivel ndërkombëtar.
Me një rrugëtim që përparon me hapa të sigurt, Loris Dvorani është padyshim një emër për t’u ndjekur në të ardhmen. Nëse vazhdon me këtë përkushtim dhe zhvillim, ai mund të jetë një tjetër histori suksesi shqiptar në futbollin ndërkombëtar.

