Ajo që prej kohësh ishte paralajmëruar dhe pritej, si duket ka filluar të realizohet. Sipas burimeve jozyrtare të Sportmania, kapiteni i FC Shkupit, Hamza Ramani, ka ndërprerë njëanshëm kontratën me klubin, duke u shpallur (jo)zyrtarisht lojtar i lirë.

Thuhet se ky zhvillim vjen pas situatës së rënduar financiare që ka kapluar klubin për muaj me radhë. Mungesa e pagesave ndaj futbollistëve ka krijuar një atmosferë të pasigurt, ndërsa shumë lojtarë që janë të lidhur me kontrata afatgjata tashmë kanë filluar të kërkojnë rrugëdalje ligjore për t’u larguar.
Ramani, i cili ishte një nga figurat kryesore të skuadrës dhe një lider brenda dhe jashtë fushës, ka shfrytëzuar të drejtën për ndërprerje të kontratës për shkak të mosrespektimit të obligimeve financiare nga ana e klubit. Ky është një sinjal alarmi për drejtuesit e Shkupit, pasi në ditët në vijim pritet që edhe emra të tjerë të rëndësishëm, kryesisht futbollistë të huaj si Ansah dhe të tjerë, të ndjekin të njëjtin hap./Sportmania/

