Në fakt, burime për mediat italiane shpjegojnë se nuk ka asnjë kundërshti për rinisjen e stërvitjes së diferencuar më datën 4 maj, menjëherë pas përfundimit të masave të izolimit, të imponuara nga qeveria, por shqetësimi i klubeve lidhet me një tjetër aspekt tashmë.

Kjo pasi deri tani qeveria ka dhënë një miratim paraprak për rinisjen e stërvitjes, por ende nuk ka folur për asnjë moment për zhvillim ndeshjesh dhe klubet me të drejtë janë shprehur se do të ishte e panevojshme të zbresin në stërvitje, nëse nuk do të ketë një datë për të zhvilluar ndeshjet.
Gjatë ditës së sotme ministri i sporteve Vincenzo Spadafora pritet të mbajë një takim me ministrin e Shëndetësisë dhe përfaqësues të Komitetit Shkencor që po menaxhon situatën e pandemisë në Itali, në prani edhe të kryeministrit Conte, për të diskutuar për një vendim final.
Megjithatë paraprakisht është hedhur ideja që stërvitja të rinisë më 4 maj në mënyrë të diferencuar të paktën deri më 18 maj dhe sa i përket zhvillimit të ndeshjeve, mendohet që gjithçka të rinisë rreth datës 13 qershor, një periudhë kjo kur mendohet që në Itali të jetë rivendosur normaliteti.
Opsioni tjetër është ai i nisjes së seancave stërvitore vetëm më datën 18 maj, por në këtë rast do të duhej një zgjidhje tjetër për mbylljen e kampionatit, pasi nuk do të kishte kohë për zhvillimin e të gjithë ndeshjeve të mbetura./SS/

