Shkëndija me statistika pozitive në 14-të xhirot e deritashme

Katër xhiro para mbylljes së gjysmësezonit vjeshtorë, Shkëndija është e para në renditje dhe është ekipi i vetëm pa humbje.

Lider dhe dominues në të gjitha statistikat pas 14-të xhirove në Ligën e Parë të Futbollit në Maqedoninë e Veriut. Kjo është ecuria e momentit e Shkëndijës 4 xhiro para pauzës dimërore. Seri e gjatë pa humbje tashmë në 14 duele me radhë, gjatë të cilave tetovarët kanë shënuar 8 fitore dhe 6 barazime. Me 31 gola të shënuar Shkëndija ka sulmin më efikas në ligë ku listës së golashënuesve bashkë me Darboen e Shkupit me nga 12 realizime i prinë Besart Ibraimi, ndërsa kuqezinjtë kanë mbrojtjen më të mirë deri tani që ka pësuar më së paku nga tjerët, 11 gola.

Deri në mbyllje të gjysmësezonit vjeshtor kanë mbetur edhe katër përballje në të cilat skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka kërkon vazhdimësi rë serisë pozitive, me shpresë për të ruajtur dhe thelluar diferencën me konkurentët. Rruga e Shkëndijës deri në mbyllje të takimeve zyrtare për vitin 2020 vijon të shtunën në Veles ku takohen me Borecin. Mesjavën e ardhshme në Tetovë Shkëndija pret Bellasicën, pastaj luan transfertën me Akademia Pandevin, për të mbyllur gjysmësezonin vjeshtor më 16 dhjetor kundër Pelisterit në Tetovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close