E shtuna do të sjell ndeshjet e xhiros së nëntë në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut.

Lideri e renditjes Shkëndija e Tetovës në këtë xhiro do të përballet me Sileksin në transfertë. Shkëndija në këtë përballje vjen pas fitores bindëse 4:0 ndaj Vardarit, ndërsa në anën tjetër Sileksi barazoi pa gola me Tikveshin.
Një ditë para këtij takimi mesfushori Reshat Ramadani para mediave ka thënë se Sileksi është kundërshtar i papërshtatshëm, mirëpo shpreson se Shkëndija do të kthehet në Tetovë me 3 pikë.
“Kjo javë ka kaluar shumë mirë, ditët që kishim në dispozicion i kemi shfrytëzuar maksimalisht për tu përgatitur sa më mirë për atë që pason. Në skuadër kemi atmosferë shumë të mirë dhe jemi shumë të motivuar për të shkuar për fitore në Kratovë. Do të jetë ndeshje e vështirë në Kratovë, pasi Sileksi si vendas është ekip mjat i papërshtatshëm. Por besoj se ne të gjithë do të japim maksimumin, me shpresë se kjo do të jetë e mjaftueshme për tu kthyer me tre pikë në Tetovë”, u shpreh Ramadani.
Përballja Sileksi – Shkëndija luhet në stadiumin e qytetit në Kratovë me fillim në orën 14:00.

