Portieri legjendar i Turqisë, Rushtu Reçber tashmë ka kaluar krizën që kishte me koronavirusin dhe ndjehet shumë mirë pranë familjes së tij. Reçber ka falenderuar ish-klubin e tij Barcelonën që e ka mbështetur jashtëzakonisht në momentet më të vështira të jetës së tij.

“Më dhanë një mbështetje të madhe gjatë dhe pas sëmundjes sime. Nuk do ta harroj kurrë atë që Barcelona bëri për mua, kur isha duke vdekur nga koronavirusi. Më dhanë jetë. Dua të shpreh falenderimet e mia të pamasë ndaj gjithsecilit dhe në veçanti presidentit Bartomeu”, është shprehur portieri Rushtu.
Kujtojmë që portieri legjendar i përfaqësueses turke ishte një nga ish-futbollistët e famshëm që u prek nga koronavirusi, i cili madje rrezikoi edhe jetën nga ky virus vdekjeprurës, pasi ishte në kushte jo të mira shëndetësore.

