Vjen largimi i parë nga kampionët e ri të elitës së futbollit vendor. Sipas burimeve të televizionit Shenja, kapiteni, Fatih Ismaili do të largohet nga skuadra e Çairit në fund të këtij sezoni. Ismaili ishte i hendikepuar nga lëndimet në këtë sezon, duke mos qenë aktiv në fushë në pjesën e dytë të sezonit, ndërsa në pjesën e parë të kampionatit ishte një nga lojtarët kyç të ekipit kampion, që i dha shtytje skuadrës drejt sukseseve, ku Shkupi mbylli gjysmësezonin me diferencë prej 8 pikëve nga ndjekësit e tij.

Fatih Ismaili pjesë e Shkupit është që nga viti 2017-të, ndërsa vitin e kaluar rinovoi edhe për një vit kontratën me bardheblutë. Edhe pse u rikuperua nga lëndimi, Ismaili nuk ishte i përfshirë në planet e Goce Sedlloskit në ndeshjet e fundit të gjysmësezonit pranveror.
Gjithsesi, me shumë gjasa kapitenin e bardhebluve sezonin e ri, por edhe në garat europiane nuk do të mund ta shohim me fanellën e Shkupit, me Fatih Ismailin që pritet të gjej një mjedis të ri për të vazhduar karrierën e tij.

