Një super realizim i mesfushorit tetovar Ennur Totre i ka dhënë Tiranës fitoren 2:1 në derbin ne Partizanin për të vulosur titullin e 26-të kampione e Shqipërisë.

Mbyllet gara për trofeun e më të mirit në elitën e futbollit shqiptar. Xhiroja e 33-të, pikërisht me derbin e kryeqytetit të luajtur në Elbasan ka mbyllur matematikisht çështjen e titullit pasi triumfi 2:1 i bardhekaltërve ndaj rivalit të kuq çon në 13 pikë diferencën me Laçin e vendit të dytë kur kanë mbetur 3 ndeshje deri në fund (Laçi ka 4 ndeshje, që gjithsesi me 12 pikë në lojë për ta, diferenca bëhet e paarritshme).
Partizani nisi më mirë ndeshjen, kur Skuka në minutën e 20-të realizoi super gol me gërshërë, por u përgjigj Tirana me një realizim të bukur të Seferit gjashtë minuta më vonë.
Titulli do të vulosej nga tetovari Ennur Totre që në minutën e 47-të prodhon super goditje që ndalet në rrjete dhe i jep Tiranës titullin e 26-të kampion. Për ish-futbollistin e Shkëndijës, ky ishte goli i 4-t sezonal me Tiranën, por përfundimisht më i ëmbëli, duke qenë se erdhi në derbi dhe për më shumë bart peshën e titullit.

