Gazetari i vetëm spanjoll i cili pati të drejtë vote për “Topin e Artë” ka folur për triumfin e Rodrit dhe ka zbuluar se kë zgjodhi ai si fitues të këtij çmimi. Në një intervistë për mediumin spanjoll “ElDesmarque”, Alfredo Relano shpjegoi procesin e votimit dhe zbuloi votat e tij.

“Ne votuam një listë të 30 lojtarëve të përgatitur nga France Football. Secili nga ne ka votuar nga 10 lojtarë me pikët: 15, 12, 10, 8,6, 5, 4 ,3 ,2 dhe 1. Ne kemi pasur tri kritere për votim: performanca gjatë vitit dhe aftësia për të arritur rekorde, aty ku qartësisht Vini shkëlqen, trofetë e fituar me ekipin, njëri pati Premier Ligën dhe Euro 2024, tjetri Ligën e Kampionëve dhe La Ligan dhe në fund, talenti dhe respekti, aty ku Vinicius ka pasur mangësi”, ka thënë Relano.
Relano më pas ka zbuluar se ai i ka dhënë 15 pikë Viniciusit, teksa Rodri mori 12 dhe Jude Bellingham 10 sosh.

