Të dielën do të zhvillohen ndeshjet e xhiros së 11-të në elitën e futbollit vendor. FC Shkupi në këtë xhiron pret në terren vendas Tikveshin, në një përballje ku bardhekaltrit e Çairit imperative kanë vetëm fitore.

Mbrojtësi i Shkupit Esmin Liçina vlerëson se me ndihmën e tifozëve do të arrijnë pikët e plota ndaj Tikveshit.
“Kjo ndeshje me skuadrën e Tikveshit është shumë e rëndësishme për ne, për të ngritur atmosferën në skuadër pas eliminimit nga Kupa në mesjavë. Luajmë para publikut tonë dhe duhet patjetër të dëshmojmë se e duam fitoren. Besoj se me ndihmën e tifozëve tanë besnik do të arrijmë deri tek tre pikët e plotë dhe se në fund do të festojmë së bashku. Në aspekt personal, mendoj se shumë mirë po më shkojnë gjërat këtu, ndërsa për këtë gjë, pa dyshim se meritorë janë edhe bashkëlojtarët e mi, që në dy ndeshjet e fundit nuk kemi pranuar gol. Le të jetë pra ashtu edhe nesër kundër Tikveshit, të mos pranojmë, mirëpo në anën tjetër të shënojmë”, u shpreh Liçina.

