Barcelona shënoi një fitore të thellë me rezultat 4-0 ndaj Real Madridit në ‘El Clasico’ duke vazhduar kështu shkëputjen në krye të tabelës. Me dy gola nga Robert Levandovski dhe nga një tjetër të shënuar nga Rafinja dhe Lamine Yamal, Hansi Flik mori fitoren e parë zyrtare ndaj Realit. Me të përfunduar ndeshja pati një ‘heshtje totale’ nga ana e lojtarëve të Real Madridit, të cilët preferuan të mos prononcohen për media në lidhje me ndeshjen.

Megjithatë, reagimi i tyre ka ardhur disa ditë pas ndeshjes, ku emra si Vinicius, Modriç dhe Valverde i janë drejtuar me disa mesazhe tifozëve të tyre.

“Ne do të rikthehemi si gjithmonë. Ne jemi klubi më i madh në botë, siç e dini”, ka shkruar Vinicius në platformën X.

“Koha ta ngrisim kokën, të mësojmë, të punojmë dhe të shtyjmë para. Besim total tek ky ekip”, ka shkruar Modriç në Instagram.

“Ne do të dështojmë një milionë herë, por do të rritemi sërish sepse ne jemi Real Madridi dhe është e shkruar në historinë tonë”, ka shkruar Valverde në Instagram.
Yjet e Real Madridit i pret një mision i vështirë javën e ardhshme, aty ku do të luajnë në udhëtim ndaj Valencias në ‘Mestalja’, kundërshtar ky që historikisht i ka shkaktuar probleme.

