Dallasi e turpëron Clippersin, fiton La Lakers

Surprizën më të madhe në mbrëmjen e NBA e dhuroi Dallas Mavericks me skuadrën teksane që triumfoi brenda në Kaliforni përballë Los Angeles Clippers me rezultatin e thellë 124-73.

Mungesa e Kawhi Leonard u ndje shumë te Clippers të cilët pësuan humbjen më të thellë në historinë e NBA për sa i përket pjesëve të para, teksa vetëm pas 2 periodave Luka Doncic me shokë kryesonin me 50 pikë epërsi, diçka e paimagjinueshme pas vetëm 24 minutash lojë.

Në fund falë edhe 24 pikëve të realizuara nga Doncic Dallas mori fitoren e parë në këtë sezon të NBA, duke u shkaktuar Clippersave disfatën e parë që ishte vërtet e turpshme me 51 pikë diferencë.

Fitorja e dytë rresht për Los Angeles Lakers dhe e dyta sezonale me kalifornianët që kaluan pa probleme Minnesota Timbewolves me rezultatin e thellë 127-91.

Në mungesë të Anthony Davis më i miri mbi parket për kampionët në fuqi të NBA ishte Kyle Kuzma me 20 pikë.

Falë një super Stephen Curry autor i 36 pikëve, regjistroi suksesin e parë sezonal edhe Golden State Warriors që triumfoi në transfertën ndaj Chicago Bulls me rezultatin 129-128. Pësoi humbjen e parë ndërkohë Brooklyn Nets që u mposht në transfertë me rezultatin 106-104 nga Charlotte Hornets.

29 pikët e Durant ishin të pamjaftueshme për skuadrën nju-jorkeze. Rezultat surprizues mund të konsiderohet edhe humbja e Milwaukee Bucks në Madison Square Garden ndaj New York Knicks me rezultatin 130-110./SS/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close