Ngadalë shtohet numri i skuadrave elitare të futbollit vendor që “ndezin” motorët për të vijuar me përgatitjet dimërore para gjysmësezonit pranveror. Pas liderit Shkëndijës, sot ka startuar me punë edhe konkurenti tjetër për titull Shkupi.

FC Shkupi ka shënuar startin e fazës përgatitore të dimrit, pasi ekipi nga Çairi sot kishte grumbullimin e parë në vitin 2021. “Pëllumbat” nisën pa trajnerin e ri Hasan Ozer, i cili u emërua në këtë post dy ditë më parë si zëvendësim për Umit Karanin. Shkupjanët kanë ndryshuar planin e përgatitjeve, pasi përkundër paralajmërimit se do të zhvillojnë fazën e parë në Dojran, vendimi i fundit është që ekipi të udhëtojë drejt Antalias së Turqisë, ku do të zhvillohet faza kryesore e përgatitjeve. Pa Fatjon Jusufin dhe Darko Glishiqin e larguar, përforcimi i vetëm i Shkupit në këtë fazë është Kristijan Trapanovski i ofruar nga Akademia Pandev.

