Klubi i Volejbollit Universiteti i Tetovës në konkurencë të femrave të shtunën në mbrëmje ka shënuar fitore 3:2 (25:22, 20:25, 8:25, 25:23, 15:5) përballë liderit të renditjes, Nakovski Voley.

Vashat e UT-së zhvilluan një paraqitje spektakolare në një duel super interesant me shumë kthesa në rezultat dhe me 5 sete maksimale të luajtura. Universiteti i Tetovës hapi mirë duelin dhe avansoi 1:0 pas një seti të parë të balansuar dhe të fituar 25:22. Seti i dytë ishte mundësi për të çuar ndeshjen drejt fitores, por gjërat nuk shkuan si duhet dhe mysafiret barazuan në 1:1 rezultatin falë koncentrimit më të madh në çastet vendimtare duke marrë setin me shifrat 20:25. Seti i tretë shkoi shumë keq për UT-në që nuk shkoi përtej 8 pikëve dhe pranë rezultatit 8:25 panë veten në negativë 1:2. Por vajzat “universitare” treguan karakter kur në setin e katërt zhvilluan luftë të madhe për të fituar setin me rezultat 25:23, duke barazuar ndeshjen në 2:2. Gjithçka rreth fituesit duhej të vendoset në setin e pestë që solli një paraqitje autoritative të Univeristetit të Tetovës që fituan 15:5, duke mbyllur ndeshjen me teiumf 3:2 në sete. Kështu vashat e UT-së marrin fitoren e dytë në dy ndeshje të luajtura të sezonit të ri dhe me 5 pikë mbajnë vendin e dytë në renditje, pas kundërshtarit të sontëm Nakovski Voley që ka grumbulluar 7 pikë në tre ndeshje të zhvilluara dhe nga vashat tetovare pësuan humbjen e parë sezonale.

